U mbajt tryeza e rrumbullakët - Pakoja bazike e sigurimeve shëndetësore dhe shëndeti riprodhues

Prishtinë, 20/12/2016 - 15:59

Organizuar nga Koalicioni i organizatave joqeveritare K-10 dhe mbështetur nga Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara -UNFPA, Zyra në Kosovë, sot në Prishtinë u mbajt tryezë e rrumbullakët me temën: Pakoja bazike e sigurimeve shëndetësore dhe shëndeti riprodhues.

Kryeshefi Ekzekutiv i AFSH-së (UD), Arsim Qavdarbasha shpjegoi aspekte të Ligjit për  Sigurimin Shëndetësor në Kosovë.

Ai tha se zbatimi i Ligjit fillon me mbledhjen e premiumeve si hap i parë dhe se është koha që të fillohet me këtë hap, me që Kosova është i vetmi vend në Evropë që nuk ka sigurime shëndetësore. Pas shpjegimit të parimeve të LSSH, ai tha se të gjithë banorët në Republikën  e Kosovës, duhet të kenë sigurim shëndetësor të obliguar.

Në mënyrë specifike, duke ju referuar temës së takimit, dr. Qavdarbasha tha se Neni 7 i Ligjit e përcakton se pavarësisht statusit të siguruarit, shërbimet e garantuara shëndetësore janë: Shërbimet emergjente të kujdesit shëndetësor; shërbimet e kujdesit shëndetësor për fëmijët nën moshën 18 vjeçare nga Lista e shërbimeve të kujdesit themelor shëndetësor; shërbimet esenciale shëndetësore për shtatzënat dhe lehonat si dhe shërbimet e tjera esenciale të kujdesit shëndetësor të përcaktuara nga Fondi

“Pra, shërbimet do të ofrohen në pikën e shërbimit për t'u mbrojtur fëmijët, shtatzënat dhe lehonat pavarësisht çfarëdo ndikimi që mund të ketë në ligj”, shpjegoi ai.

 

Valbon Krasniqi, këshilltar i Ministrit Rrahmani ka shpjeguar masat e ndërmarra për themelimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore dhe reformën e shëndetësisë, si dhe përgatitjet e bëra të MSH-së me ministritë dhe agjensionet e tjera për fillimin e mbledhjes së premiumeve shëndetësore në janar 2017.

Ai përmendi tre benefitet e para që qytetarët do t'i ndiejnë pas fillimit të skemës së sigurimeve shëndetësore që janë:përmirësimi i furnizimit me barna dhe material shpenzues nga Lista Esenciale e barnave për tre nivelet e kujdesit shëndetësor;  rimbursimi i disa barnave jashtë spitalore dhe benefiti i tretë pagesa për kapitacion për Kujdesin Parësor Shëndetësor në bazë të performancës, duke e lidhur mjekun familjar me qytetarin.

 

Visare Mujko-Nimani (UNFPA) tha se shqetësimet e kësaj organizate janë se çka ndodh me sigurimin shëndetësor jashtë shtatzënësisë dhe lindjes si  dhe procedurat për  disa shërbime parandaluese, a do të përfshihen ato në pakon e shërbimeve bazike, etj.  “Kur flasim specifikisht për mjetet kontraceptive, shumica e vendeve të BE-së i mbulojnë këto mjete, por ka dallime në mes të shteteve, me fokus në moshën adoleshente dhe grupet vulnerabile”, tha ajo.

 

Në këtë tryezë, me pikëpamjet e tyre rreth skemës së sigurimeve shëndetësore janë paraqitur edhe kryetari i FSSHK-së Blerim Syla dhe deputetja e Vetëvendosjes Besa Baftiu, të cilët janë shprehur në favor të shtyrjes së fillimit të sigurimeve shëndetësore.

 

Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Financave , Agim Krasniqi, tha se implementimi i  ligjit ka fazat e saj dhe se Qeveria ka marrë obligim që ta mbajë buxhetin aktual dhe t'i shoh mundësitë edhe për rritjen e tij.

“Sistemi i sigurimeve shëndetësore duhet të mbikëqyret mirë dhe rreziqet ekzistojnë nëse fondet nuk menaxhohen mirë. Fondi duhet të implementohet brenda mundësive reale.Ne do ta përcjellim zhvillimin e fondit dhe zhvillimin e pakos bazike, e cila mendojmë se do të rritet pakoja në vazhdimësi. Asnjë sistem në botë nuk ka filluar me një pako të gjerë, bile pakot e para ka qenë përmirësimi i shërbimeve aktuale dhe pastaj zgjerimi i pakos ekzistuese...Kështu që më mirë është të fillohet duke i përmirësuar shërbimet aktuale me një pako që mund të mbulohet, për të vazhduar me zgjerimin e pakos”, tha ai.

 

Në tryezë nga perspektiva e konsumatorit ka kontribuar edhe përfaqësuesi i tyre z. Selatin Kaçaniku, përfaqësues të shoqatave që janë pjesë e K10 dhe profesionistë e menaxherë shëndetësor.