Në Prishtinë diskutohet për skemën e sigurimeve shëndetësore

Prishtinë, 15/12/2016 - 08:27

Organizuar nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë -PRAK, dhe mbështetur nga Suisse Solidar, sot në Prishtinë u mbajt një tryezë debate ë prag të fillimit të mbledhjes së premiumeve për sigurime shëndetësore, në të cilën përfaqësues nga sektori qeveritar dhe jo-qeveritar janë diskutuar për sfidat e implementimit të sigurimeve shëndetësore.

Në këtë debat, u tha se sigurimet shëndetësore janë sfida më e madhe e shëndetësisë kosovare të pasluftës, ndërsa implementimi i tyre duhet të merret me kujdes dhe pas një procesi të kujdesshëm të përgatitjeve të gjithanshme. 

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, tha se sigurimet shëndetësore janë  një proces i rëndësishëm dhe mjaft sfidues. Ai tha se sistemi shëndetësor në Kosovë ka vepruar pas luftës pa këtë komponentë të rëndësishme, ndërkohë që, pas shumë përgatitjeve, Ministria e Shëndetësisë bashkë me ministritë dhe agjencionet e tjera kanë përcaktuar janarin si muaj kur pritet të fillojë mbledhja e premiumeve (kontributeve) për skemën publike të sigurimeve shëndetësore, bazuar në Ligjin për Sigurime Shëndetësore dhe vendimin e Qeverisë së Kosovës, të marrë në gusht të këtij viti.

 

Në këtë proces, tha Ministri Rrahmani, kërkohet angazhim i sinqertë dhe mbështetës i të gjithëve, ndërsa benefitet e para që qytetarët pritet t’i gëzojnë do të jenë shtimi  i buxhetit për barna dhe përmirësimi i furnizimeve, rimbursimi i disa llojeve të barnave jashtë spitalore nga prilli 2017 si dhe pagesa për kapitacion për kujdesin parësor për komunat e përzgjedhura, duke siguruar një lidhje të qytetarit me mjekun e vet.

Ilir Hoxha nga Suisse Solidar tha se reforma e sigurimeve shëndetësore është një nga gjërat më të mira që kanë ndodhur në shëndetësi pas luftës, ndërsa tha se në zbatimin e kësaj reforme është esencial ndërveprimi midis Ministrisë së Shëndetësisë, shoqatave si PRAK-u dhe akterëvë të tjerë.

Muhamedali Kodra, drejtor ekzekutiv i PRAK-ut tha se parakusht për zbatimin e sigurimeve shëndetësore është respektimi i qeverisjes së mirë. Pa dashur ta paragjykoj të ardhmen e funksionalizimit të Fondit, ai tha se kapacitete ende jo të mjaftueshme, mungesa e informacionit adekuat nga qytetarët dhe elemente të tjera vendosin disa dilema nëse janë kryer përgatitjet e duhura për fillimin e premiumeve.

 

Skeptik me qëndrimet e tyre rreth sigurimeve shëndetësore janë treguar edhe Talat Gjinolli nga AAK e Besa Baftiu nga Vetëvendosje, derisa kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë, Blerim Syla, duke kritikuar për siç ka konsideruar ai, përgatitjet e pamjaftuara, ka thënë se ende është shumë herët që të fillohet me mbledhjen  e kontributeve, duke pretenduar gjithashtu, se me fillimin e mbledhjes së tyre, shkelet edhe ligji, sepse nuk janë plotësuar , siç tha ai, disa parakushte.

Ish-Ministri i Shëndetësisë dhe më pas edhe i Mjedisit e Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, ka thënë se ekzistojnë disa kufizime ligjore në LSSH për fillimin e mbledhjes së premiumeve para se të plotësohen disa kushte, dhe ka propozuar që derisa të bëhen disa ndryshime në ligj, të miratohet pakoja e shërbimeve dhe deklarata financiare, të shtyhet vendimi për fillimin e mbledhjes së kontributeve. 

Shefi i Zyrës së OBSh-së, Skender Syla tha se nga këndvështrimi i OBSh-së, financimi është vetëm një nga komponentët efikase të sistemit shëndetësor, derisa për implementimin e sigurimeve shëndetësore janë të nevojshme kapacitetet njerëzore, ofrimi shërbimeve me pacientin në qendër, kuadri profesional me Edukim të vazhduar dhe gjithashtu, duhet një pajtueshmëri politike për procesin.

Pas debateve të shumta në të cilën janë ngritur çështje të ndryshme, Ministri Rrahmani ka bërë një përmbledhje të shqetësimeve të adresuara, duke nënvizuar se skema e sigurimeve shëndetësore kur zbërthehet në detaje është një proces që zhvillohet prej dy milionë qytetarëve të Kosovës dhe se MSh-ja  ka  nxjerrë dokumentet e nevojshme për të mundësuar mbledhjen e premiumeve dhe themeluar Fondin; është në proces me procedurë të përshpejtuar ndryshimi i disa neneve të Ligjit të Shëndetësisë dhe atij të Sigurimeve me qëllim të lehtësimit të procesit si dhe është duke u bërë edhe ngritja a kapaciteteve për Agjensionin e Financimit Shëndetësor. 

Ai e ka ritheksuar se fillimi do të jetë mjaft sfidues e gjithashtu edhe zhvillimi i Fondit pastaj, porse ka vlerësuar se është koha të lëvizet me kujdes me hapat e parë të implementimit të sigurimeve, duke mos pretenduar ndryshime të mëdha, por graduale dhe që do të reflektojnë me përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe indikatorëve shëndetësor në vend.